Irani e ka cilësuar “ndërhyrje në punët e brendshme” dhe “nxitje për dhunë” deklaratën e presidentit të Francës, Emmanuel Macron lidhur me mbështetjen e tij për protestat në vend.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, në një deklaratë me shkrim reagoi ndaj presidentit të Francës, Macron i cili tha se solidarizohet me protestuesit në protestat që filluan pas vdekjes së Mahsa Aminit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Kanaani i konsideroi si “ndërhyrje në punët e brendshme” dhe “nxitje për dhunë” deklaratat e Macron-it. “Është për t’u habitur që qeveria franceze dënon forcat iraniane të sigurisë që luftojnë kundër dhunës, ndërkohë që ajo ka kërcënuar se do të përdorë forcë për t’i dhënë fund grevave të punëtorëve në sektorin e naftës dhe gazit në Francë”, tha ai.
“Kjo situatë provon edhe njëherë se të drejtat e njeriut në fjalorin e shumë vendeve perëndimore që pretendojnë për të drejta të njeriut, nuk janë asgjë tjetër përveçse një lodër dhe mjet për të arritur objektivat politike dhe për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera”, tha Kanaani duke e cilësuar si “dyfytyrësi” qëndrimin e Francës.
Presidenti francez Macron në një deklaratë dje dënoi ndërhyrjen e forcave të sigurisë ndaj protestuesve në protestat e mbajtura në Iran duke thënë se solidarizohet me protestuesit./FolDrejt/