Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, gjatë një vizite në Ugandë ka kritikuar Perëndimin për egoizëm dhe arrogancë ndaj vendeve në zhvillim, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
Në fjalën e tij në një konferencë të përbashkët për media në qytetin Entebbe me presidentin e Ugandës, Yoweri Musevini, presidenti iranian tha se ka nevojë që vendet perëndimore të njohin pavarësinë dhe lirinë e vendeve të tjera.
“Për shkak të dominimit të vendeve perëndimore, ata nuk duan të shohin vendet në zhvillim t’u shtojnë vlerë burimeve të tyre apo të përpunojnë lëndët e tyre të para”, tha Raisi.
Raisi tha se megjithëse është sabotuar nga vendet perëndimore, Irani ka arritur të përparojë në disa aspekte. Ai dha shembullin e barnave dhe farmaceutikëve, ku tha se prodhojnë 95 për qind të barnave që u nevojiten.
Ai tha se vendet perëndimore gjithmonë akuzojnë vendet në zhvillim për abuzim të të drejtave të njeriut, por ato janë në fakt abuzuesit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut.
Raisi tha se Irani është i gatshëm të ndihmojë Ugandën në zhvillimin e industrisë së saj të naftës, sepse ka shumë njohuri për të.
Ai fajësoi botën perëndimore për promovimin e homoseksualitetit me qëllim të shkatërrimit të racës njerëzore. Ai falënderoi Ugandën për luftën kundër homoseksualizmit dhe tha se kjo është një fushë ku të dy vendet bien plotësisht dakord.
Musevini i bëri thirrje Iranit që të bashkëpunojë me Ugandën në zhvillimin e bujqësisë./FolDrejt/