Ministri iranian i Naftës, Javad Oji tha se vendi i tij prodhon 3 milionë fuçi naftë bruto në ditë.
Sipas agjencisë gjysmë-zyrtare të lajmeve të Iranit “Mehr”, ministri i Naftës Oji dha deklarata për kapacitetin e prodhimit të naftës në vendin e tij. “Ne prodhojmë 3 milionë fuçi naftë bruto në ditë. Kapaciteti i prodhimit të naftës së lehtë është rritur me 200 mijë fuçi në ditë”, tha Oji, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai tha se Ministria e Naftës zhvillon projekte për përmirësimin e cilësisë së karburantit të prodhuar në rafineritë e vendit. Sipas tij, dy njësi të prodhimit të karburantit me standardin “Euro 5” së shpejti do të aktivizohen në rafineritë në Abadan në jugperëndim të Iranit dhe Tabrizit në veriperëndim.
Sipas statistikave të ministrisë, Irani, i cili prodhonte 3.8 milionë fuçi naftë bruto dhe kondensatë në ditë në prill 2018, eksportonte 2.8 milionë fuçi nga kjo sasi përpara sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja.
Pasi SHBA-ja riktheu sanksionet në maj të vitit 2018, Irani, i cili kishte vështirësi në shitjen e naftës që prodhonte, uli prodhimin e naftës nën 2 milionë fuçi në ditë. Gjatë kësaj periudhe, sasia e naftës së eksportuar nga Irani ra nën 500 mijë fuçi në ditë.
Në raportin e fundit mujor të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) të publikuar më 13 dhjetor, thuhet se prodhimi mesatar i naftës së papërpunuar të Iranit në tremujorin e tretë të vitit 2022 ishte 2.566.000 fuçi në ditë./FolDrejt/