Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim me katër akuza Koço Buzon.
Ai vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij në muajin maj të vitit 2021, pasi kishin mbaruar seancën gjyqësore në Gjykatën e qytetit.
Liljana Buzo, ishte larguar që nga fillimi i vitit 2021 nga shtëpia, për shkak të dhunës së vazhdueshme psikologjike e fizike të ushtruar nga bashkëshorti i saj, Koço Buzo, autor i krimit të rëndë, transmeton Fol Drejt.
Dhuna disa vjeçare ndaj saj ishte ushtruar në sy të fëmijëve të saj, të cilët gjithashtu ndjeheshin të kërcënuar prej të atit dhe fatkeqësisht qëndronin gojëkyçur përballë kësaj situate edhe tani që ishin të rritur.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan njofton se sot më datë 06/05/2022 ka përfunduar hetimi dhe është dërguar për gjykim procedimi penal nr. 535, për ngjarjen e ndodhur më datë 06/05/2021 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me të pandehur shtetasin:
Koço Buzo hetuar me masën e sigurimit “arrest në burg” me akuzën e ngritur për kryerjen e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë, “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” të parashikuara nga nenet 79 gërma “e” dhe “ë”, e 22, 79/c, 274 dhe 278/1 të Kodit Penal, ku mbeti viktimë bashkëshortja e autorit, shtetësja Liljana Buzo si dhe mbetën të plagosur shtetasit Gëzim Toçila dhe Adriatik Kolaj.
Ngjarja i referohet datës 06/05/2021 në të cilën në afërsi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan i pandehuri Koço Buzo vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij Liljana Buzo, me të cilën ishte në proces divorci.
NGJARJA
Ditën kur ndodhi ngjarja, ishte caktuar ballafaqimi i palëve në Gjykatë, e dy djemtë e çiftit po shoqëronin të ëmën për në Gjykatë, ku do zhvillohej seanca e parë e çështjes pas denoncimit të bërë për ushtrim dhune për 58-vjeçarin Koço Buzo ndaj bashkëshortes së tij.
Por, kjo seancë kishte dështuar, pasi bashkëshorti i akuzuar si dhunues nuk ishte paraqitur, edhe pse kishte konfirmuar praninë e tij pas marrjes së njoftimit zyrtar.
Burimet thanë se 58-vjeçari kishte ndjekur fshehurazi lëvizjet e bashkëshortes dhe dy djemve të tij dhe, pasi ata kishin hyrë në godinën e Gjykatës së Elbasanit, ai kishte qëndruar i fshehur rreth 50 metra larg në një nga anekset e rrugës që e lidh këtë institucion me Drejtorinë Vendore të Policisë.
Në momentin që bashkëshortja e tij, Liljana Buzo, e shoqëruar nga dy fëmijët, kanë dalë nga Gjykata dhe po ecnin në rrugën, ku ai i kishte zënë pritë, ka qëlluar menjëherë mbi të me breshëri kallashnikovi. Sikur mos të mjaftonte kjo, ai i ka ngulur edhe thikën në grykë.
Pasi qëlloi 7 herë ndaj bashkëshortes me arme dhe me thikë, ai ka plagosur edhe një avokat dhe një kalimtar, që ndërhynë të neutralizonin veprimet e mëtejshme të Buzos, i cili ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar nga Policia./FolDrejt/