Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 8 mijë euro gjobë dhe burgim prej gjashtë muaj ish-drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, transmeton Fol Drejt.
Ai është gjetur fajtor në veprën “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.”
Në njoftim thuhet se:
“Konform nenit 44 të KPP-së, të akuzuarit L.K dënimi me burgim mund ti zëvendësohet në dënim me gjobë në shumë prej 3.000 euro, në dënimin e shqiptuar do të llogaritet dhe koha e kaluar ne paraburgim nga data 01.03.2021 deri me datë 30.03.2021 dhe arrest shtëpiak nga data 29.05.2021 deri me datë 29.07.2021”, thuhet në komunikatën për media.”
Po ashtu bëhet e ditur se “Ardian Krasniqi është dënuar me dënim unik prej 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë. E akuzuara Marigonë Berisha është dënuar me 5 mijë euro gjobë. Ndërsa, e akuzuara Flora Doda është liruar nga akuzat.
Krasniqi është shpallur fajtor veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, të cilat dënime do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
“Në dënimin e shqiptuar me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim 03.03.2021 deri me dt.30.03.2021 dhe prej dt.05.05.2021 deri me dt.29.07.2021, si dhe në arrest shtëpiak prej dt.30.03.2021 deri me dt.05.05.2021. I akuzuari A.K lirohet nga akuza se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kishin për të kryer veprën penale Ushtrimi i Ndikimit”.
Ndërsa, e akuzuara Berisha është shpallur fajtore për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, e në të cilin dënim e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak prej datës 01.03.2021 deri më 31.03.2021.
“E akuzuara M.B lirohet nga akuza për veprën penale Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale sipas nenit 333, par.1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Kurse, Doda është liruar nga akuza për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi që nuk është provuar nga gjykata se e njëjta ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar.
“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin zyrtar./FolDrejt/