Mediat turke kanë konfirmuar se ish-futbollisti i Chelseat, Christian Atsu është në mesin e mijëra njerëzve që gjenden nën rrënojat pas dy tërmeteve shkatërruese që goditën Turqinë dhe Sirinë.
Përveç fanellës së Chelseat, Atsu në karrierën e tij ka luajtur edhe për Porto, Rio Ave, Everton, Vitesse, Bournemouth, Malaga dhe Al-Raed, ndërsa aktualisht është anëtar i Hatayspor. Ai vetëm mbrëmë i ka sjellë fitoren skuadrës së tij në ndeshjen ndaj Kasimpashës me gol në minutën e 97-të.
Ky lojtar i kombëtares së Ganës me 65 paraqitje për atë kombëtare është vetëm një nga sportistët e shumtë të humbur në këtë tërmet, dhe siç njoftoi Fotomac, një numër i bashkëlojtarëve të tij tashmë kanë shpëtuar nga rrënojat dhe ata shpresojnë që edhe Christian Atsu do të mbijetojë.
Kujtojmë se një tërmet me magnitudë 7.8 goditi Turqinë jugore herët në mëngjes dhe u ndje në një pjesë të madhe të vendit si dhe në disa vende të rajonit, përfshirë Sirinë fqinje. Disa orë më vonë, rreth orës 13:30 me orën lokale, vendi u godit nga një tërmet i ri me magnitudë 7.5 ballë të shkallës Rihter. Numri zyrtar i të vdekurve, sipas informacioneve të fundit, në të gjithë Turqinë dhe Sirinë tani është në më shumë se 1800, transmeton Fol Drejt.