Juristi Durim Berisha ka njoftuar publikisht se është angazhuar direkt në çështjen e shumë-debatuar të (mos)vijimit të procesit mësimor nga vajzat me shami, përkatësisht udhëzimit administrativ diskriminues, i cili është kontestuar prej kohësh nga besimtarët muslimanë në Kosovë, shkruan Fol Drejt.
Nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ai e ka informuar opinionin publik se i është drejtuar “ministres së Arsimit znj. Arbërie Nagavci me një kërkesë për anulim të nenit kontestues të Udhëzimit Administrativ, përmes të cilit është ndaluar paligjshëm dhe arbitrarisht pjesëmarrja e vajzave me mbulesë në procesin mësimor.”
Më tutje Berisha, veç që e ka cilësuar si dispozitë të pavlefshme, të cilën duhet fshirë pa shumë zhurmë, është shprehur optimist se pas kërkesës së tij, do të përmbushet ky akt.
Ky është postimi i plotë:
Sot i jam drejtuar ministres së Arsimit znj. Arbërie Nagavci me një kërkesë për anulim të nenit kontestues të Udhëzimit Administrativ, përmes të cilit është ndaluar paligjshëm dhe arbitrarisht pjesëmarrja e vajzave me mbulesë në procesin mësimor.
Ajo dispozitë edhe ashtu është dispozitë absolutisht e pavlefshme, por që formalisht do duhej fshirë nga Udhëzimi Administrativ, me qëllim që të kursehemi nga situatave të panevojshme.
Marrë parasysh se ministria nuk po e bën një gjë të tillë sipas detyrës zyrtare, ashtu si parashihet me ligj, shpresoj që do ta përmbushin këtë detyrim ligjor pas kësaj kërkesë.