Ish-komandanti i KFOR-it, gjeneral Erhard Buhler, ka folur për gjasat reale të afrimit dhe anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Buhler është shprehur se për këtë ka një rrugë të gjatë, dhe varet nga transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovë drejt ushtrisë, përcjell klankosova.tv.
”Kjo është një rrugë e gjatë dhe varet nga trasnformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe zhvillimi i saj drejt një ushtrie, që parashikohet edhe me ligjet e Kosovës. Këtu duhet të kryhen edhe shumë punë në rrafshin strategjik”.
”Sa i përket FSK-së, ajo është shndërruar në një trupë të shkëlqyeshme, por ajo duhet të vendoset në bazat e duhura koncepcionale, të ketë strategjinë e duhur ushtarake dhe të bëhet kompatibël me forcat e NATO-s. Këtu duhet të bëhen edhe disa hapa të tjerë, në radhë të parë sa i përket funksionimit multilateral. Por mendoj se Kosova shpejt do të mund të integrohej në programin Partneritet për Paqe. Por edhe këtu problemi kryesor është që me këtë vendim duhet të dakordohen të gjitha vendet anëtare, pra edhe katër vendet e NATO-s, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën. Edhe këtu kërkohet një angazhim më i madh për të bindur këto vende se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor dhe i Kosovës në NATO është në interesin tonë strategjik”.
Tutje gjenerali Erhard Buhler, ka komentuar për Deutschewelle edhe gjendjen e sigurisë në Kosovë, në veçanti në veri të Kosovës.
”Unë nuk shoh rrezik të ndonjë sulmi nga jashtë. KFOR-iështë garant për këtë e pas KFOR-it qëndron NATO-ja. Trupat e KFOR-it janë zvogluar shumë kohët e fundit. Kështu edhe duhet, sepse nuk ka nevojë që atje të qëndrojnë mijëra e mijëra ushtarë të NATO-s. Kjo nuk do të ishte mirë as për imazhin e Kosovës, e nuk do të ishte në përputhje as me gjendjen aktuale të sigurisë atje. Por në rast të ndonjë sulmi nga jashtë, trupat e NATO-s janë të gatshme për ta evituar këtë”.