Mjekët Bashkim Gllareva dhe Salih Ahmeti i kanë vizituar ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Këtë e ka bërë të ditur Gllareva përmes një postimi në Facebook ku tha se ish-krerët e UÇK-së po qëndrojnë të pathyeshëm dhe po e mbrojnë UÇK-në edhe në Hagë.
“Nuk u dorëzuan dhe nuk u ndalën. Rezistuan, punuan dhe e krijuan UÇK-në. E rritën, luftuan dhe u bënë çlirimtarë. Për UÇK-në, për lirinë dhe popullin tonë, për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen e Kosovës, ata ende po sakrifikojnë. Zemërluanë dhe të pathyeshëm! Kështu i njohim dhe kështu po vazhdojnë të qëndrojnë edhe në këtë vend të huaj, ku padrejtësisht po mbahen. Dinjitetshëm, UÇK-në tani po e mbrojnë edhe në Hagë! Sa të ketë jetë mbi tokën e Kosovës, përjetë do u jemi mirënjohës. Krenar me veprën, idealet dhe virtytet tuaja. Krenar me JU, çlirimtarë! Shqiptarët, kudo që janë, krahëhapur po ju presin!”, ka shkruar ai në Facebook.