Një gjykatë në Pakistan ka urdhëruar që ish-kryeministri Imran Khan të lirohet me kusht për dy javë, tha avokati i tij të premten, pasi arrestimi i tij shkaktoi protesta masive dhe një përplasje me ushtrinë.
Arrestimi i Khan, të cilin Gjykata e Lartë e shpalli “të pavlefshëm dhe të paligjshëm” një ditë më parë, ka shkaktuar paqëndrueshmëri në një vend me 220 milionë banorë të goditur nga një krizë ekonomike, inflacion rekord, rritje e dobët ekonomike dhe vonesa në ndihmën e FMN-së, përcjell Fol Drejt.
Protestuesit sulmuan ndërtesat ushtarake
“Nuk ka asnjë justifikim për të më arrestuar. Më kanë rrëmbyer. Është si ligji i xhunglës,” i tha Khan gazetës britanike The Independent në Gjykatën e Lartë të Islamabadit. Gati 2,000 protestues janë arrestuar në dhunë që nga e marta, kur Khan u arrestua nga agjencia kundër korrupsionit në një rast lidhur me një mashtrim toke.
Të paktën tetë persona humbën jetën në përleshjet me policinë. Protestuesit sulmuan ndërtesat ushtarake dhe u vunë flakën disa ndërtesave dhe pronave të tjera qeveritare, duke bërë që qeveria të thërriste ushtrinë për të rivendosur rendin. “Gjykata e Lartë e Islamabadit e liroi atë me kusht për dy javë dhe urdhëroi që ai të mos arrestohej gjatë asaj periudhe,” u tha gazetarëve avokati i tij Faisal Chaudhry pas seancës./FolDrejt/