Ish-ministri i Rumanisë është shprehur se Rumania nuk duhet të pranojë të luajë kundër përfaqësueses së Kosovës në kualifikimet e EURO 2024.
Pas tërheqjes së shortit për Kampionatin Evropian 2024, ku Kosova u rendit në të njëjtin grup me Rumaninë, ish-ministri i Jashtëm i Rumanisë, Theodor Melescanu, ka kërkuar që kjo ndeshje të mos zhvillohet meqë vendi i tij nuk e njeh atë të Kosovës, transmeton Fol Drejt.
“Kosova nuk njihet nga një sërë shtetesh, përfshirë edhe ne, Rumaninë. Ne nuk e kemi njohur kurrë pavarësinë e Kosovës”.
“Normalisht, Federata jonë e Futbollit, përmes Razvan Burleanut, duhet të diskutojë edhe me shtetet e tjera që kanë të njëjtin pozicion si Rumania dhe të arrijë në një metodë që nuk duhet të shkatërrojë të gjithë sistemin, por edhe të mos respektojë gjërat që janë shumë të qarta nga këndvështrimi i Rumanisë”, ka thënë ish-ministri, sipas Ziare.
“Nëse nuk gjendet zgjidhje, ajo që mund të bëhet është të humbasim 3-0 me Kosovën”, ka shtuar Melescanu.
Krahas Rumanisë, Kosova do të ndeshet edhe me Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë e Andorrën./FolDrejt/