Ish-ministrja e arsimit Hykmete Bajrami, ka dalë me një propozim për SBASHK-un dhe për Qeverinë lidhur me çështjen e grevës në arsim.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Bajrami ka thënë se përmes kësaj greve kemi humbur shumë dhe SBASHK duhet t’i rishikojë kërkesat, duke e pranuar kështu shtesën prej 50 eurove nga Qeveria deri në fund të vitit.
“Sot u bë një muaj që arsimi në vendin tonë është në grevë. Kemi humbë shumë, kemi humbë të gjithë. I rekomandoj SBASHK-ut që të rishikoj kërkesat kështu dhe të pranohet oferta e Qeverisë për shtesën 50 euro, por kjo shtesë të vazhdoj deri me 31.12.2022”, ka thënë ajo.
Bajrami po ashtu ka deklaruar se Qeveria nuk duhet të zbatojë ndëshkime për paga.
“ Me 01.01.2023 të filloj implementimi i Ligjit të Pagave. Në rast se Ligji i Pagave nuk hyn në fuqi, të planifikohet buxhet që shtesa prej 50 euro të vazhdoj deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji. Qeveria të mos zbatoj ndëshkime në paga, për muajin shtator. I rekomandoj Qeverisë t’i pranoj këto kërkesa. Shkollat dhe çerdhet të hapën të hënën”, ka shkruar Bajrami në Facebook.