Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka filluar dëshminë dëshmitari i 25-të (me kodin 03724), Douglas Young, i cili deklaroi se Fatmir Limaj kishte pohuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) e ka ndaluar Amir Xhafiqin.
Për takimin me Fatmir Limaj, me nofkën Çeliku, dëshmitari tha se ai kishte pranuar se UÇK-ja kishte të ndaluar AmirXhafiqin por se kishte kuptuar se nuk mund të bënin marrëveshje pas asaj bisede.
‘‘Një prej pikave të mia në këtë takim ishte që unë isha atje i autorizuar nga komandant Drini që dëshironte të kisha qasje të paktën me pa personin e ndaluar dhe sa kuptoja kisha mbështetjen e tij dhe ja thash këtë. Limaj m’u përgjigj se personi i ndaluar ishte jashtë kompetencës së komandantit të zonës dhe ishte nën kompetencën e Shtabit të Përgjithshëm’’, tha ai.
Dëshmitari këtë deklarim e bëri, duke u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), konkretisht prokurores, Deborah Mayer, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, dëshmitari pohoi se ka dhënë dëshmi për ZPS-në në vitin 2018 dhe 2019 dhe se ka bërë sqarimet për këtë deklaratë, e që të gjitha pasqyrojnë informacione të sakta dhe do përgjigjej njësoj për të njëjtat çështje.
Në këto rrethana, është kërkuar nga ZPS-ja që deklaratat e tij të mëhershme, provat shoqëruese dhe shënimi përgatitor të pranohen dhe si të tilla ato janë pranuar nga trupi gjykues.
Nga përmbledhja e dëshmisë së tij, është thënë se ka qenë nënkolonel i ushtrisë britanike dhe është dislokuar në misionin e vëzhguesve diplomatike dhe pjesë e verifikuesve të OSBE-së në Kosovë më 1998 dhe 1999.
Tutje, u tha se ai ishte larguar nga Kosova në mars 1999 dhe u kthye për të shërbyer me KFOR-in si zëvendëskomandant- zëvendëskoordinues për Malishevën dhe Rahovecin dhe kishte raportuar për qendrën numër 1.
Për të, u tha se ka bashkëpunuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për persona të zhdukur dhe të rrëmbyer dhe për të gjetur ku ndodheshin këta persona të rrëmbyer nga UÇK-ja.
I pyetur për personin konkret Amir Xhafiqin, ai pohoi se ka takuar disa zyrtarë të UÇK-së për ta kuptuar ku ishte i njëjti.
Fillimisht, tregoi bisedën me Komandant Drinin, sipas të cilit nuk kishte pasur dijeni për këtë, por se biseda paraprake me një person të quajtur Skender, sipas dëshmitarit kishte bërë të dyshonte se ata mund të dinin diçka ndonëse ishte thënë se ‘UÇK-ja nuk ishte i përfshirë në zhdukjen e Amir Xhafiqit’’.
Ndryshe, dëshmitari gjatë dëshmisë së tij pohoi se në punën e tij kanë bërë raporte ditore dhe nga ana e prokurores u paraqit një dokument i hartuar nga dëshmitari, ku ishte thënë se ishin ndaluar nga pjesëtarë të UÇK-së të cilin kishin thënë se s’kanë pasur informacion nga niveli më i lartë për këtë patrullim.
E dëshmitari tha se ‘‘ky është term i veçantë ushtarak që ka të bëjë me selinë më të lartë në zinxhirin komandues, është thjesht për eprorët e asaj patrulle të UÇK-së që kemi has në atë moment’’.
Më pas, iu paraqit një raport i OSBE-së ku ishte thënë se dikush nga organizata ka pasur takim me komandat të UÇK-së dhe ka marrë udhëzim se UÇK-ja duhet të mbështesë organizatat ndërkombëtare dhe jo të bëhet pengesë, e që ai tha se ka dëgjuar këtë informacion por se nuk e ka shkruar ai këtë dokument.
Kurse, dokumentin tjetër të paraqitur ku thuhet se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nuk ishte nënshkrues i asnjë marrëveshje por se Shtabi ka njoftuar se do ofrojë ndihmë mekanizmit të përmendur për t’i kryer punët pa pengesë në territoret ku është UÇK-ja, duke iu ofruar siguri të plotë, ai tha se nuk e ka parë më herët përveç në seancën përgatitore.
Për Shtabin e Përgjithshëm, ai tha se ka qenë në krye të organizimit të UÇK-së, ndërkaq disa pyetje nga ana e ZPS-së janë bërë në sesion privat.
Në vazhdim, ai është përgjigjur fillimisht kundër-pyetjeve të mbrojtjes së Selimit, avokatit Geoffrey Roberts, ku dëshmitari pohoi se para Kosovës, nuk kishte qenë pjesë e ndonjë dislokimi ku një grup joshtetëror kishte qenë aktiv.
Ai më tej tha se ka qenë pjesë e grupit me seli në Prizren, por se zona e përgjegjësisë së tyre ishte zona e Rahovecit në drejtim të Malishevës.
Sipas tij, kjo zonë ishte zona e Pashtrikut për UÇK-në dhe tha se e di që në të kanë shërbyer Brigada 122 dhe 124 e UÇK-së.
Tutje, janë diskutuar opinionet e tij për organizimin e UÇK-së, e që sipas tij kur kishte thënë se UÇK-ja ishte e organizuar shumë mirë dhe kishte komunikim të arsyeshëm, e kishte pasur fjalën se ajo nuk mund të krahasohet me një ushtri moderne që kontrollon territorin e saj por se ishte organizatë ushtarake që ishte duke u zhvilluar por sipas tij, nuk ishte organizim gueril që nuk komunikonin fshatrat mes vete.
Po ashtu, ai tha se nga vëzhgimi që ka bërë në takimet me komandantë ka vërejtur se ushtarakët i ndiqnin ushtrat e tyre, respektoheshin se ishte organizatë e disiplinuar dhe të dedikuar mes njëri-tjetrit.
Ai tha se nuk i kujtohet nëse ka takuar dikë tjetër nga shtabi i komandës së zonës, përveç personin përgjegjës që mbante lidhjen me OSBE-së.
Po ashtu, ka pohuar se ai nuk ka pasur njohuri për strukturat e sakta të brigadave të zonës, se nuk e ka ditur kur është krijuar Shtabi i Përgjithshëm e as që ka qenë praktikë që ata të takoheshin me Shtabin e Përgjithshëm.
Dëshmia e tij do të vazhdojë edhe në seancën e nesërme, ku seanca do fillojë sërish me kundër-pyetjet e avokatit Roberts.
Ekipet e mbrojtjes bëjnë kundër-pyetjet ndaj dëshmitarit të 23-të në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve
(Përditësuar, ora 15:40)-Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ekipet e mbrojtjes kanë bërë kundër-pyetjet ndaj dëshmitarit të 23-të në këtë çështje (me kodin 03827).
Ky dëshmitar kishte filluar dëshminë më 11 shtator duke iu përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në sesion privat, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po në të njëjtën ditë është bërë edhe diskutimi nga ana e mbrojtësit të Thaçit, avokatit Luka Misetic, gjykatësit Charles Smith dhe prokurores speciale Deborah Mayer, lidhur me çështjen e kundër-pyetjeve të mbrojtjes.
Duke qenë se seanca ka qenë private nuk është ditur se kur do të vazhdohet me kundër-pyetje nga mbrojtja.
Çështja ka vazhduar më 12 shtator me dëgjimin e dëshmitarit të 24-të dhe po ashtu edhe gjatë ditës së sotme dhe se pas përfundimit të dëshmisë së tij, mbrojtja e Thaçit ka filluar me pyetje ndaj dëshmitarit të 23-të (me kodin 03827).
Me kërkesë të avokatit Misetic është kaluar në sesion privat për të mbrojtur dëshmitarin dhe se kjo dëshmi është bërë përmes video-konferencës.
Pasi që seanca ka qenë në sesion privat nuk dihet nëse të gjitha ekipet kanë pasur kundër-pyetje për dëshmitarin.
Në këto rrethana dëshmia e tij ka përfunduar për këtë çështje gjyqësore ndërsa seanca e sotme po vazhdon me dëshminë e dëshmitarit të 25-të në këtë çështje (me kodin 03724).
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët, dëshmitari thotë se gjëja më e keqe që mund të i ndodhte dikujt ishe të përshkruhej si kolaboracionist
(Përditësuar, ora 12:30)-Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari i 24-të në këtë çështje (me kodin 4255) ka thënë se gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte dikujt ishe të përshkruhej si kolaboracionist.
Këtë deklarim dëshmitari e kishte bërë në sesion privat por për të cilin është pyetur në pyetet plotësuese nga avokati Gregory Kehoe, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë deklaratë, dëshmitari tha se jo vetëm për të por për gjithë popullin ky term njihet si term i ulët, injorant dhe nënçmues.
Ndryshe, në sesion publik janë bërë pyetjet plotësuese nga ekipet mbrojtëse, bazuar në pyetjet e trupit gjykues pasi që paraprakisht, në sesion privat janë bërë pyetjet e ekipit mbrojtës së Selimit dhe Krasniqit si dhe pyetjet nga ana e trupit gjykues.
Dëshmitari, duke iu përgjigjur avokati Ben Emmerson tha se është e saktë që oficerët serbë vinin maska kur kryenin detyra të caktuara në Kosovë.
Në anën tjetër tha se është e vërtetë që në daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), tre njerëzit-pjesëtarët e UÇK-së kishin vënë maska kur nderuan me tri të shtëna mësuesin e rënë.
I pyetur se nga fundi i 1997-ës e deri në qershor 1998 a ishte e zakonshme që pjesëtarët e UÇK-së të vinin maska kur kryenin sulme në operacione të izoluara ushtarake brenda Kosovës, dëshmitari tha se ‘‘po ishte e zakonshme, ndoshta edhe e nevojshme për ta, unë nuk kam bart’’.
Kurse, u pajtuar se pas qershorit kishte ulje të përdorimit të maskave por se shtoi se ajo ka qenë vlerësim i secilit aty për aty.
Dëshmitari po ashtu u pyet për çështjen e kidnapimit të Jakup Kastratit dhe Cen Deskut, i ishte kishte dhënë përgjigje se nuk kishte kryer hetim për këtë dhe nuk kishte qenë pjesë e bisedave të pas luftës.
E i pyetur se pse nuk ishin bërë këto të dyja, dëshmitari tha se ‘‘e para, nuk ishte në zonën time, i takon komunës së Malishevës dhe e dyta, nuk ka pas mandat të hetoj’’.
Ai tha se ata i ka takuar vetëm pas luftës duke shtuar ‘‘momentet e para pas luftës ne jemi taku’’.
Në këtë mënyrë, dëshmia e tij ka përfunduar dhe se seanca në këtë çështje do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit tjetër të Prokurorisë.
Në këtë mënyrë dëshmia e tij ka përfunduar dhe se kjo seancë do vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të 23-të (me kodin 03827), për t’iu përgjigjur kundër-pyetjeve të mbrojtjes.
Ekipi mbrojtës i Selimit fillon marrjen në pyetje të dëshmitarit të 24-të në gjykimin Thaçi dhe të tjerët
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në seancën e të mërkurës, ekipi mbrojtës i Selimit ka filluar ta marr në pyetje dëshmitarin e 24-të në këtë çështje (me kodin 4255).
I njëjti po përgjigjet në pyetjet e avokatit Geoffrey Roberts, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ky dëshmitar ka filluar dëshminë e tij më 12 shtator ku i është përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), ekipit mbrojtës të Thaçit dhe Veselit.
Gjatë leximit të përmbledhjes së dëshmisë së tij nga ZPS u tha se ka qenë komandat i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për një periudhë të caktuar kohore dhe se ishte edhe anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Seanca po vazhdon në sesion privat me kërkesë të avokatit Roberts, me arsyen për të mbrojtur dëshmitarin.
Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.
Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.
Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.
Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.
Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17, Dragica Bozhaniq.
E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.
Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi filloi të dëshmojë, i cili përfundoi dëshminë më 5 shtator, ku edhe filloi dëshmia e zyrtarit nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, të Frederick Abrahams, i cili përfundoi më 11 shtator.
Më 11 shtator ka përfunduar edhe dëshmia e dëshmitarit të 23-të, ndërkaq më 12 shtator ka filluar të dëshmojë dëshmitari i 24-të.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.