Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, mohoi sot raportet e mediave lokale se ai u përpoq të sillte në vend bizhuteri që qeveria saudite dyshohet se i kishte dhënë atij dhe gruas së tij, raporton CNN Brazil.
“Po më akuzojnë për një dhuratë që as e kam kërkuar dhe as nuk e kam marrë. Unë kurrë nuk kam kryer një akt të paligjshëm”, tha ish-lideri i ekstremit të djathtë në një intervistë për CNN, raporton Reuters.
Agjencia britanike kujton se gazeta lokale O Estado de S. Paulo raportoi të premten se Bolsonaro u përpoq të importonte ilegalisht në Brazil një set bizhuterish të përbërë nga një gjerdan, unazë, orë dhe vathë diamanti, të cilat iu dhanë atij dhe ish-zonjës së parë Michelle nga qeveria saudite, thuhet në raport. Këtë lajm e ka mohuar kategorikisht ish-presidenti brazilian, transmeton Fol Drejt.