Ish-presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, i cili aktualisht po vuan dënimin me burg në spital, ka njoftuar se do të hyjë në grevë urie pasi iu refuzua seanca dëgjimore për kërkesën e tij për lirim për arsye shëndetësore.
“Mikhail Saakashvili ka filluar një grevë urie, ai kërkon të lejohet të marrë pjesë në seancën dëgjimore përmes lidhjes video nga spitali, ku ai po trajtohet me roje prej disa muajsh”, tha avokati i tij Dito Sadzaglishvili për France Press.
Javën e kaluar, ekipi ligjor i ish-liderit gjeorgjian publikoi një raport mjekësor që thoshte se Saakashvili ishte helmuar nga metalet e rënda në një burg gjeorgjian dhe rrezikohej të vdiste nëse nuk trajtohej siç duhet.
Saakashvili (54), i cili është edhe lideri i opozitës në vend, u transferua në spital në fund të vitit të kaluar, pas një greve urie 50-ditore, të cilën ai e vazhdoi për të protestuar ndaj burgimit të tij, të cilin ai e konsideron të të motivuar politikisht.
Në një raport të lëshuar nga avokatët e tij, toksikologu amerikan David Smith tha se analizat tregojnë praninë e metaleve të rënda në trupin e Saakashvilit dhe se simptomat që ai ka janë rezultat i helmimit nga metalet e rënda.
Sipas autorëve të atij raporti, të datës 28 nëntor, Saakashvili iu nënshtrua një trajtimi mjekësor që ishte i dëmshëm për të pa mbikëqyrjen e duhur.
Avokatët e ish-presidentit i kërkuan gjykatës lirimin e tij për arsye shëndetësore, por një seancë gjyqësore për të shqyrtuar këtë kërkesë u shty sot pasi autoritetet nuk arritën të organizojnë një lidhje video me spitalin.
Saakashvili, udhëheqësi i protestave që rrëzuan Eduard Sheverdnadze nga pushteti në 2003 dhe presidenti i Gjeorgjisë nga 2004 në 2007 dhe nga 2008 në 2013, u largua për në Ukrainë pas përfundimit të mandatit të tij të dytë presidencial.
Në Gjeorgji, ai u dënua më vonë në mungesë me gjashtë vjet burg për shpërdorim detyre dhe u arrestua në tetor 2021 kur u kthye në vend me shpresën për të kontribuar në një rezultat më të mirë për opozitën në zgjedhjet lokale./FolDrejt/