Ish presidenti i Serbisë Boris Tadiq në një intervistë të dhënë për opozitaren Danas, ka folur për raportet e fundit të krijuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe rolin e presidentit aktual Aleksandër Vuçiq në procesin e bisedimeve, shkruan Fol Drejt.
Ai ndër të tjera ka thënë se Vuçiq është një servil i Perëndimit, prandaj përkundër vërejtjeve që kjo e fundit i ka për demokracinë serbe, ai shihet si faktori kyç në zgjidhjen e problemit Kosovë – Serbi.
Më saktësisht Tadiq është pyetur se pse Vuçiq, pas gjithë vërejtjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, mediat jo të lira, mungesën e demokracisë etj, për Perëndimin “ai është ende personi që mund ta zgjidhë problemin e Kosovës?”
Tadiq është përgjigjur se:
“…e vetmja zgjidhje për Perëndimin është njohja e Kosovës dhe anëtarësimi në OKB. Siç e shihni, deri në këtë qeveri nuk kanë pasur as bashkëbisedues për atë temë në Serbi, e lëre më një qeveri e gatshme për atë servilizëm që ka treguar ky.”
Ai po ashtu është pyetur rreth planit Franko-Gjerman, për të cilin ka thënë se nuk do ta nënshkruante, në qoftë se versioni i tij përfundimtar do të ishte ai që është bërë i njohur për publikun:
“Aq sa kam unë njohuri dhe për aq sa u bë e njohur për publikun, unë nuk do të firmosja një marrëveshje të tillë. Megjithatë, askush nuk e di ende përmbajtjen përfundimtare të tekstit që do të nënshkruhet, kështu që unë do të mund të komentoj për versionin përfundimtar vetëm kur të finalizohet. Dhe asnjë vend normal nuk pranon një shkop të cilit nuk i duket fundi për shkak të një karote në mjegull, veçanërisht nëse ai shkop nënkupton heqjen dorë nga interesat legjitime kombëtare dhe një pjesë të territorit. Krahasuar me pasojat afatgjata të një shkopi të tillë, edhe karota më e madhe është vetëm kënaqësi afatshkurtër.”
Mbrëmë në Kosovë është publikuar një dokument i cili përmban edhe marrëveshjen bazë, por edhe planin e zbatimit. Sipas dokumentit, parashihet që jo më vonë se 15 ditë pasi palët të nënshkruajnë marrëveshjen bazë, ekipi menaxhues duhet të paraqesë draftin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe./FolDrejt/