Një lajm i hidhur vjen nga Franca, ku ish-sulmuesi Bruno Rodriguez, i është dashur t’i amputojnë këmbën e djathtë. Lajmin e dha Unioni i Futbollistëve Profesionistë, i cili tregoi se ish-lojtari i PSG-së ishte i detyruar ta bënte një gjë të tillë.
Dëmtimet e njëpasnjëshme në karrierën e tij si profesionist dhe sidomos inflamacionet e herëpashershme në kyçin e këmbës, sollën vendimin drastik për 49-vjeçarin francez i cili ka karrierë të gjatë në futbollin në Ligën 1.
Rodriguez ka luajtur në 234 ndeshje në Ligën 1 në karrierën e tij dhe në vitin 1999, iu bashkua për një sezon PSG-së duke shënuar 6 gola në 20 ndeshje me këtë klub.
Ai ka luajtur edhe me Monako, Bastia dhe Metz në këtë kampionat, ndërsa në Spanjë me Rajo Vajekano e në Angli me Bredford.
Pikërisht dëmtimet e njëpasnjëshme detyruan sulmuesin që të mbyllte karrierën në moshën 32-vjeçare e tani, pas 17 vitesh, ai u desh t’i nënshtrohej kësaj ndërhyrje kirurgjikale./FolDrejt/