Ish-ushtari i UÇK-së nga Struga, Artim Elmazi, që u bë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mori pjesë në Betejën e Koshares, ka kujtuar kohën e luftës, duke sjellë episode krenarie e emocionuese, që nga kyçja në UÇK, dhembja për humbjen e shokëve e deri te gatishmëria për të luftuar sërish për Kosovën po qe nevoja.
Ish-ushtari Elmazi, këto detaje e këtë rikujtesë historike e ka shpalosur në një intervistë të dhënë për gazetën Insajderi.
Fillimisht, z.Elmazi ka treguar momentin se kur vendosi t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.
“Në UÇK jam kyçur që nga 31 marsi i vitit 1999 nga momenti kur SHP i UÇK-ës e shpalli mobilizimin e përgjithshëm, t’iu them të drejtën isha i gatshëm edhe më herët por kyçja në atë kohë ishte me e komplikuar. Me shpalljen e mobilizimit ishte çdo gjë e organizuar dhe pas 4 ditësh jam veshur me uniformen e UÇK-ës”- tha Elmazi për Insajderin.
Ndër tjerash ai ka theksuar se për pjesëmarrje në luftë kishte të gjithë mbështetjen e familjes së tij.
“Familja e ime dhe farefisi i gjerë kur morën vesh se jam në radhët e UÇK-ës përveç krenarisë që e kishin atëherë edhe sot më kanë mbështetur pa rezerva, sot fëmijët e mi ndihen krenar që prindi i tyre ka kontribuar për lirinë e Kosovës” – tha ish-ushtari, Artim Elmazi.
Për Elmazin momenti më i vështirë i luftës ishte rënia e shokëve të tij, dëshmorëve Afrim Gashit e Xhafer Lipovicës.
Ai ka treguar edhe ngjarjet që atij nuk i janë shkoqitur nga mendja. Elmazi kujton datën e 21 majit kur u bombardua posta ushtarake që ishte në duart e UÇK-së.
“Unë isha në vijë të frontit së bashku më shokët pa ndërprerje që nga dita e parë dhe momenti më i dhimbshëm ishte rënia e dy shokëve të mi, Afrim Gashit dhe Xhafer Lipovecit me 19 maj. Kjo ishte dita kur forcat tona u përballen me mercenarët rusë dhe me paramilitarët serb në malet e Koshares, poashtu me mbetet në kujtesë edhe data e 21 majit bombardimi i postës ushtarake në Koshare nga NATO, që edhe pse mbarë opinioni dhe NATO e dinte se ky post kufitar i ish- Jugosllavisë e Serbisë ishte në duart e UÇK-ës që nga 9 prilli ” – rrëfeu ai.
Tutje, ai rrëfen edhe për momentin e çlirimit të Kosovës.
“Isha në pozicionet e luftës kur kuptova lajmin e nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, por luftimet vazhduan deri me 14 qershor, ishte një gëzim i madh por edhe dhimbje qe një pjesë e shokëve nuk e arritën këtë ditë”-tha ai.
Krejt në fund, ish-ushtari që luftoi për Kosovën, përkundër që jeton dhe vepron në Zvicër, nuk la pa komentuar edhe gjendjen aktuale politike në vend.
Elmazi madje u shpreh i gatshëm të luftojë, nëse situate përshkallëzohet.
“Unë vi nga Struga, jetoj e punoj në Zvicër, shpesh jam në Kosovë për t’i vizituar shokët dhe bashkëluftëtaret nga ajo qe dëgjoj nga ta dhe ajo qe shoh me sytë e mi është shumë larg nga betimi dhe nga aspiratat tona kombëtare, nuk do të dëshironim ndonjë luftë por nëse ndodh, përsëri do jem i gatshëm të jap kontributin tim” – përfundoi ai.
Intervista është marrë nga gazeta Insajderi.