Presidenti Biden tha se Gustavo Cardenas dhe Jorge Fernandez ishin “arrestuar gabimisht”.
Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi kthimin e dy shtetasve amerikanë që ishin arrestuar në Venezuelë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një deklaratë, Biden tha se Gustavo Cardenas dhe Jorge Fernandez ishin “arrestuar gabimisht”.
Pasi u arrestuan në 2017, Cardenas “ka vuajtur pesë vjet vështirësi dhe burgim në duart e një sistemi të padrejtë”, tha ai, duke shtuar: “Fernandez u arrestua vitin e kaluar me akuza të rreme”.
SHBA-ja e ka dënuar gjyqin si të motivuar politikisht.
Lajmi vjen pas raportimeve të mediave amerikane, të pa konfirmuara nga AA, se zyrtarët amerikanë udhëtuan në mënyrë sekrete në Venezuelë gjatë fundjavës për të filluar që të rregullojnë marrëdhëniet me Venezuelën.
Shteti në fjalë është aleat i Rusisë dhe rregullimi i marrëdhënieve me Venezuelën mund ta kthejë naftën e saj në tregjet amerikane, duke ndihmuar në zbutjen e ndikimit të një embargoje amerikane ndaj naftës ruse për luftën e saj ndaj Ukrainës.
Duke thënë se “mbajtja e padrejtë e amerikanëve është gjithmonë e papranueshme”, Biden po ashtu foli për “çdo amerikan që po mbahet padrejtësisht kundër vullnetit të tyre në Venezuelë, në Rusi, në Afganistan, Siri, Kinë, Iran dhe gjetkë në mbarë botën”.
“Administrata ime do të vazhdojë të luftojë për t’i sjellë të gjithë në shtëpi”, shtoi ai./FolDrejt/