Tërmeti i 26 nëntorit nuk kurseu as monumentet e trashëgimisë sonë kulturore.
Në përfundim të procesit Kulla e kthyer në identitet u përurua dhe me pjesëmarrjen e ambasadores së Shteteve të Bashkuara Yuri Kim dhe ambasadores së Suedisë Elsa Hastad të cilat e kanë ndjekur dhe më parë nga afër procesin.
”Kur erdha në janar 2020 ishte dimër dhe gjithçka ende e shkatërruar. Kishte rrënoja dhe dhembje, por qëndresa dhe kurajo e durrsakëve ishte e fortë. Si kjo kala, ashtu dhe durrsakët do të vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë. Rroftë miqësia shqiptaro- amerikane! Rroftë Durrësi! Rroftë kjo kala!”, tha ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim,
”Ishim këtu kur fatkeqësia ndodhi dhe ne reaguam shpejt. Së bashku jemi më të fortë dhe krenarë që u bashkuam për të ndërhyrë së bashku me ambasadën e Shteteve të Bashkuara për të rindërtuar 3 site të mrekullueshme Krujën, Prezën dhe Durrësin. Kjo kullë ka qenë pikë mbrojtjeje dhe sulmi që në kohë të lashta dhe ja ku jemi pranë saj me besimin se dhe të ardhmen do ta bëjmë së bashku”, tha ambasadorja e Suedisë, Elsa Hastad.
Kulla C është pjesë e fortifikimit të qytetit të Durrësit dhe restaurimi i saj u mundësua nga programi i Fondit të Ambasadorëve dhe qeveria suedeze me një vlerë rreth 350 mijë dollarë.
“Kulla u kthye në objektin simbol të shkatërrimit nga katastrofa natyrore…”, tha Ministrja e Kulturës, Elva Margariti
Për herë të dytë në historinë e saj, pas tërmetit shkatërrues të vitit 1273, tërmeti i 26 nëntorit 2019 e rrëzoi një pjesë të Kullës, e cila u restaurua me materialet e mbetura nga shkatërrimi.
E ndërtuar në periudhën e perandorit bizantin Anastas, muri rrethues me kullën është një nga simbolet historike të qytetit bregdetar dhe ekzistencës së pathyeshme të tij që nga antikiteti i hershëm deri në ditët tona./tch/