Ishulli kroat Rab është tani një destinacion i njohur turistik, por kur pensionisti Herman Janez ishte atje si fëmijë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ishte një i burgosur në një kamp përqendrimi të drejtuar nga fashistët italianë.
Herman Janez ishte vetëm një fëmijë në 1942 kur trupat fashiste italiane dogjën fshatin Stari Kot në Slloveni dhe e morën familjen e tij në Kampor, një kamp përqendrimi i drejtuar nga Italia në ishullin Rab të Kroacisë.
Ai dhe familja e tij u mbajtën në ishull për katër muaj dhe më pas kaluan dhjetë muaj në një kamp tjetër të drejtuar nga fashistët, Gonars në Italinë veri-lindore.
Janez, i cili tani është 85 vjeç dhe jeton në Slloveni, ka kaluar tërë jetën e tij duke hulumtuar historinë e Kampor. Pas Luftës së Dytë Botërore, ai shpesh kthehej në ishull, shëtiste përreth dhe kërkonte dokumente.
Kampor, u krijua gjatë Luftës së Dytë Botërore pasi Italia aneksoi pjesë të Sllovenisë, zona të bregdetit Adriatik dhe ishuj që tani janë pjesë e territorit kroat dhe malazes, ishte një nga kampet më të ashpra italiane.
Ai tha se 100,000 ‘Jugosllavë’ u internuan në kampe fashiste. Vendet e paraburgimit si Kampor u krijuan gjithashtu në Itali, Shqipëri dhe gjetkë në Kroaci.
“Kam udhëtuar në Rab për herë të parë [pas luftës] në shtator 1953 … Njeriu duhet të rritet si fizikisht ashtu edhe mendërisht për të kuptuar të gjitha ato,” tha ai, raporton BIRN, përcjell FolDrejt.com.
Ai tha se rreth 1,400 njerëz vdiqën në Kampor, kryesisht nga uria ose sëmundja.
Rab është një ishull turistik tani i njohur, por megjithëse kampi i përqendrimit është pak i njohur në mesin e publikut në Kroaci, Itali ose Slloveni këto ditë, disa historianë janë përpjekur të ruajnë kujtimin e asaj që ndodhi atje. /FolDrejt.com/