Autoritetet e Antimafias Siciliane e Guardia di Finanza, me urdhër të prokurorisë së Katanias kanë ekzekutuar mëngjesin e sotëm operacionin e koduar “Cocorito” , i cili ka çuar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh droge.
Në urdhër arrestimi për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike e organizim kriminal të tipi mafioz janë vënë 13 persona mes të cilëve katër janë shtetas shqiptarë.
Akuza ndaj tyre është trafiku i 367 kg marijuanë e kokainë.
Droga trafikohej nga Kolumbia e Shqipëria drejt Italisë.
Ky organizim kriminal ishte i ndërtuar nga dy grupe kryesore trafikantësh; grupi i kolumbianëve dhe ai i trafikantëve shqiptarë.
Grupi i trafikantëve kolumbianë drejtohej nga vëllezërit kolumbianë Ruben Dario Rodriguez Mondragon e Julio Cesar “Cheo” Rodriguez Hurtado e nga anëtarët Hillaris “Hillary” Caceres Palacios e Robert Andres “Solìto” Rodriguez Mina e menaxhonin kryesisht trafikun e kokainës.
Grupi i dytë i trafikantëve shqiptarë drejtohej nga Viktor Dalipaj, Petraq “Pietro” Troka, e Adriano Spina, dhe ishte i organizuar në dy nën grupe;
Nëngrupi i drejtuar nga Julian “Juli” Hoxhaj e Indrit “Endri” Karafili, të cilët trafikonin për interes të këtij organizimi kriminal, sasi droge nga Shqipëria drejt Sicilisë.
Ndërsa nëngrupi i dytë i grupit të trafikantëve shqiptarë drejtohej nga Sebastiano “Mishi” Lombardo, Salvatore Litteri e Gioeli Musumeci e që furnizoheshin me drogë nga grupi i shqiptarëve drejtuar nga Hoxhaj e Karafili.
Hetimet investigative të operacionit “Cocorito” kanë çuar në gjashtë operacione sekuestrimi droge baras me 365 kg marijaunë e hashash për llogari të këtij organizimi kriminal.