Policia italiane në një operacion për rrëzimin e një grupi kriminal ndërkombëtar ka arrestuar 29 persona të akuzuar për kontrabandë të emigrantëve nga Turqia dhe Greqia.
Autoritetet dyshojnë se personat e arrestuar ishin pjesë e një bande kriminale me anëtarë në Itali, Greqi dhe Türkiye që transportonin emigrantë përmes Mesdheut lindor në Italinë jugore, zakonisht me anije me vela, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Personat akuzohet edhe për pastrimin e të ardhurave të paligjshme nga aktiviteti i trafikimit të emigrantëve.
Shefi kundër krimit i policisë së shtetit italian, Francesco Messina, tha se arrestimet vijnë pas një hetimi 4-vjeçar nga policia kombëtare italiane, të koordinuar nga zyra e prokurorisë kundër mafias e qytetit Catanzaro.
Italia ka regjistruar një rritje masive të mbërritjeve të emigrantëve nga deti që nga fillimi i vitit, megjithëse shumica e tyre vijnë nga brigjet e Afrikës Veriore.
Policia italiane njoftoi se emigrantët paguanin rreth 10 mijë euro për udhëtim, ndërsa pas mbërritjes së tyre në Itali, kontrabandistët organizonin edhe transferimin e emigrantëve nga Italia jugore drejt qyteteve të Italisë veriore si Milano, Torino apo Trieste, si dhe u siguronin atyre ushqim dhe strehim gjatë udhëtimeve.
Autoritetet italiane thanë se operacioni gjithashtu përfshinte autoritetet nga Turqia, Greqia, Belgjika, Gjermania, Suedia, Mbretëria e Bashkuar dhe Maroku, si dhe organizatat Europol dhe Interpol./FolDrejt/