Në një vizitë njëditore në Algjeri, kryeministri italian, Mario Draghi, ka nënshkruar 15 marrëveshje të bashkëpunimit në sektorë kyç me vendin afrikan, duke përfshirë rritjen e furnizimit me gaz të nevojshëm për të përballuar reduktimin e mundshëm të gazit rus.
Vizita vjen në një kohë veçanërisht të vështirë për kryeministrin Draghi, i cili po përballet me një krizë qeveritare në Itali, pasi një nga partnerët e tij kryesorë të koalicionit u largua para një votimi kyç të besimit të enjten e kaluar, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Delegacioni italian në Algjeri përfshinte gjashtë ministra, të cilët nënshkruan marrëveshje të përbashkëta që shtriheshin nga sektorët e energjisë dhe burimeve të rinovueshme deri te zhvillimi industrial, drejtësia dhe farmaceutika.
Siç theksoi Draghi në deklaratat e përbashkëta me presidentin algjerian, Abdelmadjid Tebboune, Algjeria luan një rol kyç në përpjekjet e Romës për të reduktuar varësinë e saj nga gazi rus dhe për të diversifikuar burimet e saj të energjisë.
Në muajt e fundit, tha Draghi, Algjeria është bërë furnizuesi i parë i gazit për Italinë. Javën e kaluar, gjigandi algjerian i energjisë ‘Sonatrach’ njoftoi një rritje prej 4 miliardë metër kub në furnizimet e planifikuar për muajin në vijim.
Të gjitha vendet evropiane po përpiqen të reduktojnë importet e tyre të gazit rus mes frikës se Moska mund të bllokojë furnizimet e saj me gaz si hakmarrje për sanksionet evropiane të vendosura për shkak të luftës në Ukrainë./FolDrejt/