Italia renditet e dyta, pas Rusisë, për numrin e raporteve të sulmeve fizike kundër gazetarëve në vitin 2020, pas saj vjen Serbia dhe Britania e Madhe, sipas të dhënave të botuara në raportin vjetor të përgatitur nga 14 organizata ndërkombëtare të gazetarëve, të emëruara nga Këshilli i Europës për menaxhimin e platformës në të cilën publikohen raportet e sulmeve ndaj shtypit në 47 Shtetet Anëtare, përfshirë Turqinë, Azerbajxhanin, Hungarinë dhe Poloninë.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm në krahasimin e të dhënave nga vende të ndryshme”, thekson Ricardo Gutierrez, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve, duke shpjeguar se raportet gjithashtu varen nga mënyra se si funksionojnë shoqatat kombëtare, raporton ATSh.
Organizatat që drejtojnë Platformën e Mbrojtjes së Lirisë së Shtypit të Këshillit të Europës argumentojnë, gjithashtu, se ekziston një nënvlerësim i dhunës ndaj gazetarëve në vendet anëtare të organizatës në juglindje.
Sipas Gutierrez, numri i raporteve të sulmeve fizike ndaj gazetarëve në Shtetet Anëtare u dyfishua midis 2016 dhe 2020, nga 24 raste në 52.