“Italia kundërshton krijimin e zonës së ndalim-fluturimit në Ukrainë”, tha ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio.
Ushtria italiane është e gatshme, por nuk dëshiron luftë, deklaroi dje ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, gati tre javë pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ushtria jonë është e përgatitur si çdo ushtri tjetër, por ne sigurisht që nuk duam luftë”, tha Di Maio për kanalin televiziv LA7.
Duke folur për zhvillimet e fundit në Ukrainë, Di Maio tha se “Italia kundërshton zbatimin e zonës së ndalim-fluturimit në Ukrainë, sepse kjo nënkupton që avionët tanë luftarakë të luftojnë dhe të shpërthejë lufta e tretë botërore”.
Gjithashtu, nuk mund të dërgojnë ushtarë italianë në Ukrainë, por se mbështesin ukrainasit, tha ai.
Duke folur për pasojat e mundshme të luftës në Ukrainë në ekonominë e Rusisë, ai tha se presidenti rus Vladimir Putin “pushtoi qëllimisht Ukrainën”, duke shtuar se lideri rus dëmtoi gjithashtu ekonominë ruse në këtë mënyrë.
Parashikimet flasin se ekonomia ruse do të pësojë humbje serioze për shkak të sanksioneve ekonomike të Bashkimit Evropian, shtoi ai.
“Veprimet tona diplomatike vazhdojnë pa pushim. Unë u takova me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, të premten në Forumin e Diplomacisë së Antalias në Turqi. Ai është sot në Moskë. Presidenti francez Emmanuel Macron po punon në emër të të gjitha vendeve evropiane. Ne duhet ta sjellim Putinin në tryezë për një marrëveshje”, shtoi ai.
“Kievi është gati për paqe, por Moska po ikën prej saj”, theksoi kryediplomati italian.
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila filloi me sulmin rus më 24 shkurt, nxiti reagime të ashpra ndërkombëtare, dhe çoi në sanksione financiare kundër Moskës, si dhe inkurajoi një eksod të kompanive globale nga Rusia.
Të paktën 726 civilë janë vrarë dhe 1.174 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Në të njëjtën kohë, më shumë se tre milionë njerëz kanë ikur në vendet fqinje, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara./FolDrejt/