Një hetim i autoriteteve italiane ka ngritur dyshime serioze për një ujdi mes grupeve kriminale shqiptare me ato nigeriane për të trafikuar drogë në Itali.
Gazeta italiane“L’Espresso” raportoi të mërkurën se pas një hetimi trevjeçar prokuroria e Romës ka arrestuar 52 persona, gjysma prej së cilëve me origjinë shqiptare, të tjerët italianë dhe afrikanë.
Ata dyshohet se i përkasin një grupi të strukturuar kriminal të ndërthurur me shqiptarë dhe nigerianë që shpërndanin marijuanë në qytetet kryesore të Italisë. Atyre iu sekuestrua një sasi droge me vlerë tregu rreth 2 milionë euro.
Në krye të grupit përmenden si të dyshuar si drejtues Geraldo Bejaj dhe Sule Momodu. Mediat italiane theksojnë se në këtë grup kriminal nuk kanë lidhje mafiet famëkeqe “Cosa Nostra”, “Camorra” apo “Ndrangheta”, gjë që ka angazhuar më tepër autoritetet për të zbuluar më shumë.
Një rrjet makinash me qira shfrytëzoheshin nga grupi për të lëvizur sasinë e drogës. Autoritetet arrestuan një italian të papunë të cilit i figuronin 350 makina të regjistruara në emrin e tij. Ai dyshohet t’u ketë mundësuar lëvizjet grupit.
Gazeta “L’Espresso” shkruan se të gjithë shqiptarët e ndaluar janë me origjinë nga Vlora. Droga thuhet se vjen nga jashtë Italisë dhe mban të njëjtin ambalazh me adeziv të ngjyrosur.
Aktualisht nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet shqiptare për bashkëpunim në operacionin që arrestoi 52 persona apo në hetime të mundshme nëse grupi ka shtrirje edhe në Shqipëri.
Autoritetet italiane mendojnë se shqiptarët e dyshuar si të përfshirë në grup kanë bashkëpunuar me strukturat famëkeqe nigeriane si “Eiye”, “Black Axe” apo “Black Cats”, të cilat prej së paku dhjetë vitesh dyshohet se kanë shtrirë aktivitet në veri të Italisë.