Nga kabineti i Ministrisë së Bujqësisë Faton peci është bërë e ditur se ky i fundit ka liruar nga detyra këshilltarin e tij Hysen Muzliukaj, shkruan Fol Drejt.
Muzliukaj dyshohet se e keqpërdori detyrën zyrtare në kohën kur ishte drejtor në Komunën e Mitrovicës.
Siç u raportua gjatë ditës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka kryer sot bastisje në dy lokacione, pronë e kryeshefit të Ibër-Lepencit, Faruk Mujka dhe ish-drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës, Hysen Muzliukaj.
“Nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në këto dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro”.
Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit./FolDrejt/