Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e caktimit të paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me inicialet N.N., të cilit tre ditë më parë iu gjetën në veturë 27 kilogramë marihuanë.
Personi në fjalë dyshohet për veprën penale Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, njofton Klan Kosova.
Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë:
Prishtinë, 12 gusht 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti pë Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.N për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge nga neni 267 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.N, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, të pandehurit N.N masa e paraburgimit i caktohet në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së.
Gjykata ka vlerësuar se me qëllim të zhvillimit të rregullt dhe pa pengesë të procedurës penale në këtë çështje penale është e nevojshme që të pandehurit N.N ti caktohet masa e paraburgimit, pasi që me asnjë masë tjetër alternative nuk do të arrihet që të sigurohet prania e tij gjatë zhvillimit të procedurës në këtë çështje penalo – juridike dhe procedura të zhvillohet pa pengesa.
I pandehuri N.N dyshohet nga Prokuroria se në mënyrë të pautorizuar ka poseduar narkotikë, pasi që me datë 09.08.2022 prej orës 12:00 gjatë kontrollit rutinor është ndaluar nga ana e policisë, në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjilan dhe në automjetin i tij të cilin e drejtonte tani i dyshuari N.N, gjatë kontrollit, në ulësen e pasme të veturës është gjetur një thes i mbuluar me batanije, i mbushur me marihuanë, ndërsa në bagazhin e automjetit janë gjetur edhe tre thasë të njëjtë të mbushur me thasë najloni në të cilat gjendej narkotiku, i cili dyshohet së është i llojit marihuanë me peshë totale prej 27,6 kilogramë, i cili ka qenë i dedikuar për shpërndarje të mëtejme me qëllim të shitjes tek shfytëzuesit tjerë në territorin e Republikës së Kosovës.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, ankesa nuk e ndalon ekzekutimin e këtij aktvendimi.