Tajvani ka ulur 140 avionë luftarakë F-16 pasi një model i avancuar i këtij avioni u rrëzua në det, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Avioni luftarak F-16V u zhduk pasi fluturoi për stërvitje rutinë dje pasdite, njoftoi Qendra Kombëtare e Komandës së Shpëtimit të Tajvanit (NRCC), duke shtuar se mbetjet e avionit të humbur u gjetën sot.
Pas 30 minutash fluturim nga baza ajrore Chiayi në Tajvanin jugor, avioni, i pilotuar nga kapiteni 28-vjeçar Chen Yi, u zhduk nga ekranet e radarëve, pas çka filloi operacioni i kërkim-shpëtimit.
Megjithatë, NRCC kishte thënë se banorët e qytetit jugperëndimor Chiayi dëshmuan se avioni u rrëzua në det.
“Ekipet gjetën mbetjet që i përkisnin avionit F-16V të zhdukur të Forcave Ajrore të mërkurën në mëngjes, por nuk kishte asnjë shenjë të pilotit”, thuhet në deklaratën e NRCC-së të transmetuar nga Taiwan Focus.
Helikopterët dhe anijet janë në kërkim të pilotit.
Ushtria tajvaneze tha se kushtet e motit ishin “të mira dhe kishte shikueshmëri të lartë” kur avioni u ngrit.
“Nuk kishte asnjë tregues se piloti u hodh nga avioni dhe nuk ishte bërë asnjë thirrje emergjente”, tha Inspektori i Përgjithshëm i Forcave Ajrore, Liu Hui-chien.