Izraeli nuk ka regjistruar asnjë të vdekur nga Covid-19 për herë të parë pas dhjetë muajve, në kohën kur vendi po e vazhdon programin e vaksinimit masiv të popullsisë.
Ministria e Shëndetësisë tregoi se shifra e të vdekurve nga pandemia e koronavirusit mbeti e pandryshuar – 6.346.
Hera e fundit kur Izraeli nuk shënoi asnjë viktimë të Covid-19 për 24 orë ishte në qershor të vitit të kaluar, pasi masat e rrepta të izolimit e kishin penguar zhvillimin e valës së parë të infeksioneve.
Qeveria izraelite ka filluar që t’i lehtësojnë masat kufizuese që nga shkurti, pas fillimit të një fushate më të gjerë të vaksinimit.
Izraeli e ka shkallën më të lartë të vaksinimit të popullsisë për numër banorësh në botë. Të enjten, ky shtet e arriti shifrën e pesë milionë personave të vaksinuar.
Ministria e Shëndetësisë tha se mbi 53 për qind e popullsisë prej rreth nëntë milionë banorësh tashmë i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër Covid-19.
“Kjo është një arritje e jashtëzakonshme për sistemin shëndetësor dhe qytetarët izraelitë. Së bashku ne po e çrrënjosim koronavirusin”, shkroi të premten në rrjetet sociale ministri izraelit i Shëndetësisë, Yuli Edelstein.