Ministria e Shëndetësisë e Palestinës në Rripin e Gazës, të cilin Izraeli e ka bllokuar prej vitesh, njoftoi se qeveria e Tel Avivit bllokoi hyrjen e disa pajisjeve mjekësore në rajon.
Drejtor i Përgjithshëm i Inxhinierisë dhe Mirëmbajtjes pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Bessam al-Hamadin për AA tha se jeta e pacientëve palestinezë është e rrezikuar për shkak se Izraeli ka bllokuar hyrjen e disa pajisjeve mjekësore për më shumë se një vit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke thënë se në mesin e pajisjeve mjekësore që janë të bllokuara për të hyrë në Gaza janë 20 pajisje me vlerë prej 1 milion e 800 mijë dollarë, Hamadin tha se disa operacione kirurgjikale u vonuan për një kohë të gjatë ose nuk mund të kryheshin, pasi nuk kishte pajisje alternative për këto pajisje në spitalet e rajonit.
Ai tha se Izraeli nuk jep arsye për të penguar hyrjen e pajisjeve mjekësore në Gaza, ndërsa shtoi se ata vazhdojnë përpjekjet e tyre në Organizatën Botërore të Shëndetësisë për të bërë presion ndaj Izraelit në këtë drejtim.
Rripi i Gazës ku jetojnë rreth 2 milionë palestinezë, që nga viti 2006 e deri më sot ndodhet nën bllokadën izraelite nga ajri, toka dhe deti./FolDrejt/