Izraeli do të vaksinojë palestinezët që punojnë në Izrael apo në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, tha të dielën zyra për Koordinimin e aktiviteteve të qeverisë në territoret, zyrë kjo që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit.
Fushata e vaksinimit, e cila do të përfshinte rreth 130.000 palestinezë, pritet të nisë brenda ditësh.
Shaher Saad, sekretar i përgjithshëm i Sindikatës së punëtorëve palestinezë, tha se qindra palestinezë që punojnë në sektorët e shërbimit dhe sektorët e industrisë në Izrael tashmë janë vaksinuar privatisht nga punëdhënësit e tyre brenda Izraelit.
Ai tha se sipas marrëveshjes me Izraelin, ekipet mjekësore palestineze do të vendosen në pikat e kontrollit, për të mbikëqyrur administrimin e vaksinave.
Izraeli ka vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës së Pfizerit mbi gjysmën e popullsisë prej 9.3 milionë banorësh, përfshirë edhe palestinezët në Jerusalemin Lindor.