Pretendohet se Izraeli ka instaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe në Bahrein sistemet e radarëve që do të sigurojnë paralajmërim të hershëm kundër sulmeve dhe kërcënimeve me raketa që do të vijnë nga Irani.
Sipas lajmit të televizionit “Kanal12” të Izraelit, sistemet në fjalë disa muaj më parë kanë funksionuar duke parandaluar sulmin që Irani u përpoq të kryente kundër Izraelit me mjetet ajrore pa pilot (dronë) përmes hapësirës ajrore të Irakut, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Televizioni izraelit ka bërë të ditur se SHBA-ja po përgatitet të krijojë një aleancë të re të sigurisë kundër Iranit, përfshirë edhe disa vende arabe me të cilat Izraeli nuk ka marrëdhënie diplomatike në rajon.
Në anën tjetër gazeta “Wall Street Journal”, ka shkruar se anëtarët demokratë dhe republikanë të Kongresit të SHBA-së kanë paraqitur një projektligj për “integrimin e mbrojtjes së Izraelit dhe disa vendeve arabe kundër kërcënimeve të Iranit”.
Kryeministri izraelit, Naftali Bennett javën e kaluar zhvilloi vizitë të papritur në EBA dhe u takua me Emirin e EBA-së, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan.
Në një deklaratë nga Izraeli, u theksua se në takimin mes dy liderëve u diskutua bashkëpunimi i sigurisë, kërcënimi i Iranit ndaj rajonit dhe pasojat e kësaj si dhe raporti i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në “cilësinë e paralajmërimit” lidhur me programin bërthamor të Teheranit.
Ndërsa në një deklaratë nga EBA thuhej se në vizitën e Bennett-it në Abu Dhabi nuk u bisedua çështja e Iranit dhe se është biseduar për temat si “investimet, ekonomia, siguria ushqimore dhe shëndetësia”.
Izraeli me monarkitë e Gjirit, Bahreinin dhe EBA-në me të cilat nënshkroi marrëveshje në vitin 2020, kohët e fundit ka nënshkruar shumë bashkëpunime në fushën e ekonomike, tregtare dhe ushtarake./FolDrejt/