Zyrtarët izraelitë kundërshtojnë ashpër akuzat e Organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch (HRW) për aparteid ndaj palestinezëve.
Ministri i Çështjeve Strategjike të Izraelit, Michael Biton e quajti raportin si “të rremë”.
“Qëllimi i këtij raporti nuk lidhet në asnjë mënyrë me të drejtat e njeriut, por me një përpjekje të vazhdueshme të HRW për të minuar të drejtën e shtetit të Izraelit për të ekzistuar si shtet komb i popullit hebre”, tha Biton.
Ministria e Jashtme e Izraelit tha se raporti i HRW për Izraelin “nuk ka lidhje me faktet ose realitetin në terren”.
Human Right Watch akuzoi Izraelin për zbatimin e politikave të aparteidit dhe persekutimit kundër palestinezëve – dhe kundër pakicës së vet arabe – që përbëjnë krime kundër njerëzimit.
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, e mirëpriti raportin.
Human Rights Watch me bazë në Nju Jork, tha se nuk kishte për qëllim krahasimin e Izraelit me Afrikën e Jugut të epokës së aparteidit. Organizata tha se raporti më tepër vlerëson “nëse aktet dhe politikat specifike” përbëjnë aparteidin, siç përcaktohet në ligjin ndërkombëtar.