Komiteti për Mbështetjen e Gazetarëve, organizatë me seli në Bejrut ka dokumentuar 174 shkelje izraelite të të drejtave të gazetarëve palestinezë që nga fillimi i vitit
Organizata Arabe për të Drejtat e Njeriut tha se të paktën 16 gazetarë palestinezë janë aktualisht në burgjet izraelite, shkruan AA, përcjell FolDrejt.
Komiteti për Mbështetjen e Gazetarëve, një organizatë me bazë në Bejrut tha se tetë gazetarë palestinezë janë dënuar tashmë me burgim nga autoritetet izraelite.
“Katër gazetarë u arrestuan në përputhje me politikën e ndalimit administrativ të Izraelit, ndërsa katër gazetarë të tjerë u arrestuan për t’u marrë në pyetje”, thuhet në deklaratë.
Politika e ndalimit administrativ u lejon autoriteteve izraelite të zgjasin paraburgimin e një të burgosuri pa akuzë ose gjyq.
Ky raport i Komitetit është publikuar sot me rastin e shënimit të Ditës së të Burgosurve Palestinezë, e cila shënohet me qëllim që të vë në dukje gjendjen e vështirë të atyre që ndodhen në burgjet izraelite.
Kjo organizatë joqeveritare ka dokumentuar 174 shkelje izraelite të të drejtave të gazetarëve palestinezë që nga fillimi i vitit, përfshirë praktikën e ndalimit dhe përdorimin e mburojave njerëzore.
Komiteti u bëri thirrje grupeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që të ndërhyjnë për të liruar gazetarët palestinezë nga paraburgimi izraelit.
Autoritetet izraelite nuk kanë komentuar këto akuza.
Sipas institucioneve palestineze, Izraeli mban rreth 4.500 palestinezë në paraburgim, përfshirë 34 gra./FolDrejt/