Izraeli është në pritje të “draftit përfundimtar të propozimit” nga SHBA-ja, e cila është ndërmjetësuese për përcaktimin e kufirit detar me Libanin.
Sipas Korporatës së Transmetimeve Publike të Izraelit (KAN), kabineti i qeverisë izraelite përgjegjës për çështjet politike dhe të sigurisë do të mblidhet më 6 tetor për të diskutuar propozimin e SHBA-së për të tërhequr kufirin detar me Libanin, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas kësaj u theksua se Këshilltari i Sigurisë së Energjisë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Amos Hochstein, i cili është ndërmjetës midis Izraelit dhe Libanit, pritet që në ditët në vijim t’ua paraqesë autoriteteve izraelite draft-propozimin përfundimtar për marrëveshjen.
Thuhet se Hochstein do të takohet edhe me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Eyal Holata, i cili aktualisht është në Washington.
KAN njoftoi se Izraeli do të nisë testet për sigurinë e tubacioneve në fushën e diskutueshme të gazit natyror Karish me Libanin javën e ardhshme, duke theksuar se kjo është zhvilluar pasi është bërë përparim i madh në negociatat për zgjidhjen e mosmarrëveshjes detare midis Izraelit dhe Libanit.
– Mosmarrëveshja për kufirin detar midis Izraelit dhe Libanit
Mes Izraelit dhe Libanit ka një mosmarrëveshje detare prej rreth 860 kilometrash katrorë.
Të dy vendet pretendojnë të drejtë posedimi të këtij rajoni. Izraeli pretendon se tre nga pesë blloqet me të cilat qeveria libaneze filloi procesin e licencimit ndodhen në zonën kufitare të shelfit kontinental izraelit.
Nga ana tjetër, pala libaneze argumenton se zona e diskutueshme është 2.290 kilometra katrorë.
Të dy vendet filluan negociatat indirekte në tetor 2020, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara dhe ndërmjetësimin e SHBA-së, për të zgjidhur mosmarrëveshjen e kufirit detar.
Negociatat u pezulluan pa marrëveshje pas raundit të pestë në maj 2021.
Më 5 qershor, Izraeli dërgoi një anije shpimi në zonën detare të diskutueshme Karish, e cila rriti sërish tensionet në rajon.
Presidenti libanez, Michel Aoun u takua me ndërmjetësin, diplomatin amerikan Hochstein më 14 qershor për të rifilluar negociatat me Izraelin, të cilat ishin pezulluar për një vit.
Hochstein zhvilloi disa kontakte për herë të fundit në Bejrut më 9 shtator dhe shprehu optimizmin e tij për arritjen e një marrëveshjeje.
Presidenti libanez më 19 shtator deklaroi se negociatat me Izraelin kishin arritur në fazën përfundimtare dhe se po diskutohen detajet teknike./FolDrejt/