Izraeli do të fillojë të ofrojë dozën e tretë të vaksinës kundër koronavirusit për njerëzit mbi 60 vjeç, konfirmoi të enjten kryeministri i këtij vendi, Naftali Bennett.
Dhënia e dozave përforcuese do të nisë të dielën, në kohën kur numri i të infektuarve me koronavirus është në rritje, për shkak të variantit më ngjitës Delta.
Rreth 55 për qind e nëntë milionë banorëve të Izraelit janë vaksinuar plotësisht – shumica e tyre me vaksinën Pfizer/BioNTech.
“Vendimi [për dozën e tretë] u bazua në kërkime dhe analiza të konsiderueshme, si dhe në rritjen e rrezikut nga varianti Delta”, tha Bennett.
Ministri i Shëndetësisë, Nitzan Horowitz, tha se “doza e tretë mund të shpëtojë jetë”.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, do ta marrë dozën përforcuese të premten në mëngjes.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht janë 15,000 raste aktive në Izrael – përfshirë 151 persona të shtruar në spital në gjendje të rëndë.