Ushtria izraelite tha se trupat e saj “janë duke u përgatitur për operacione tokësore” kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës.
Mbi 70 palestinezë janë vrarë qysh më 10 maj, përfshirë disa fëmijë, tha Ministria e Shëndetësisë në Gaza.
Zyrtarët shëndetësorë në Izrael thanë se shtatë njerëz janë vrarë atje.
Me gjithë shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar se armiqësitë në rajon mund të dalin jashtë kontrollit, ushtria izraelite tha se sulmet në Gaza do të vazhdojnë dhe se Izraeli po përgatitet për “skenarë të shumtë”.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Benny Gants, tha se ka urdhëruar “përforcim masiv” të forcave të sigurisë, për të ndihmuar në kontrollin e trazirave.
Hamasi, i cili kontrollon Rripin e Gazës, tha të mërkurën se “konfrontimi me armikun është i hapur”.
Dhuna vjen pas disa javë tensionesh, të shkaktuara nga konfrontimet midis policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në kompleksin e Xhamisë Al-Aqsa në Jerusalemin Lindor.