Të premten Izraeli ndërmori sulme të gjera ajrore dhe me artileri ndaj një rrjeti tunelesh nëntokësore që ndodhen në Gaza, të cilat strehojnë militantë palestineze. Përshkallëzimi i luftimeve vjen mes sulmeve të vazhdueshme me raketa ndaj qyteteve izraelite.
Zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit, nënkolonel Jonathan Conricus tha se ky është operacioni më i madh kundër një objektivi specifik që nga fillimi i konfliktit, gjatë të cilit u përdorën 160 avionë, tanke e artileri.
Grupi militant i Hamasit nisi sulmet me raketa ndaj Jeruzalemit dhe Tel Avivit si hakmarrje ndaj përplasjeve të policisë izraelite me palestinezët pranë xhamisë Al-Aksa në Jeruzalem.
Sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë të paktën 119 persona janë vrarë në Gaza, mes tyre 31 fëmijë dhe 19 gra, ndërsa 830 të tjerë janë plagosur.
Autoritetet izraelite thanë se numri i të vdekurve në Izrael vazhdon të mbetet në tetë, mes tyre një ushtar që patrullonte kufirin e Gazës, gjashtë civilë izraelitë, përfshirë dy fëmijë dhe një punëtor indian.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se kishte raportime për më shumë se 200 objekte strehimi të shkatërruara apo të dëmtuara rëndë dhe se qindra njerëz po përpiqeshin të strehoheshin në shkolla në veri të Gazës.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të enjten se fushata “do të kërkojë më shumë kohë”.
Zyrtarët izraelitë thanë se përpara çdo armëpushimi, i duhet dhënë një goditje e fortë frenuese Hamasit, grupit më të fuqishëm militant islamik të Gazës.
\