Dhjetëra mijëra izraelitë dolën në rrugë të shtunën për të protestuar ndaj politikave të djathta të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe planit që do të kufizonte kompetencat e gjyqësorit, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
Izraelitët kanë mbajtur demonstrata çdo të shtunë kundër ndryshimeve në gjyqësor të qeverisë së koalicionit të ekstremit të djathtë të udhëhequr nga Netanyahu.
Ata dolën sërish në rrugë të shtunën në javën e nëntë radhazi të protestave të mbajtura në dhjetëra qytete, duke përfshirë Tel Avivin, Haifan, Kudsin Perëndimor, Beersheban, Netanyan dhe Bat Yamin.
Propozuar nga ministri i Drejtësisë Yariv Levin, plani i reformës, nëse miratohet, do të ishte ndryshimi më radikal ndonjëherë në sistemin e qeverisjes në Izrael.
Ndryshimi do të kufizonte ashpër pushtetin e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë, do t’i jepte qeverisë kompetenca për të zgjedhur gjyqtarët dhe do t’i jepte fund emërimit të këshilltarëve ligjorë në ministri nga prokurori i përgjithshëm.
Netanyahu, i cili aktualisht është në gjykim për korrupsion, ka këmbëngulur se plani i tij do të përmirësonte demokracinë./FolDrejt/