Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj komentoi përmbytjet pas rreshjeve të shiut që përfshin para dy ditësh Tiranën.
“Patëm një javë shirash në Tiranë, por nuk e pashë në asnjë lajm Bregun e Lumit. E patë ju në lajme Bregun e Lumit? Ndërkohë, para ca vitesh mjaftonte një vesë shiu dhe Bregu i Lumit ishte tema kryesore e edicioneve, hapeshin lajmet me xhirime nga Bregu i Lumit.
Sa mirë që sot, e vetmja ‘hinkë’ është ajo te “Pallati me Shigjeta”, për t’i treguar Ilir Metës dhe kujtdo tjetër, që ka penguar deri tani projektin, se na ka ngelur të bëjmë edhe pjesën te “Pallati me Shigjeta”, duke e zgjatur deri në Kashar, siç bëmë nga Materniteti i Ri deri në Shkozë. Ku kemi vënë dorë, gjërat janë bërë më mirë. Ku jemi penguar, thjesht jemi vonuar, por nuk jemi tërhequr”, tha kryebashkiaku i Tiranës, transmeton Fol Drejt.
“Ne duhet të provojmë gjithmonë se ata do ta humbin bastin kundër nesh sa herë PS-ja është e organizuar, e disiplinuar, e hapur dhe e fokusuar tek fitorja. Ne kemi fituar edhe në zona si Bregu i Lumit, ku ishin fillimisht organizatorët e protestave, sepse partia thoshte mos e prek këtë, mos e prek atë. Po nëse nuk do ta kishim prekur ne Liqenin e Tiranës, a do të ishte bërë ajo bukuri? Po mos ta kishim prekur ne Kopshtin Zoologjik, a do ishte bërë ajo mrekulli? Po të mos e kishim prekur rrethrrotullimin që quhej sheshi “Skënderbej”, a do ishte bërë ai shesh? Po mos ta kishim prekur ne Pazarin, a do ishte bërë ai Pazar? Po mos ta kishim prekur Kalanë, a do ishte bërë Kalaja? Po të mos kishim prekur Bregun e Lumit, a do ishim sot këtu me këpucë të thata? Do vinim të gjithë me baltë nga Bregu i Lumit sepse vinte uji deri në Allias. Për të gjitha këto arsye, ku kemi vënë dorë, ka qenë për t’i bërë gjërat më mirë”, tha ai./FolDrejt/