Një analist serb, Dushan Janjiq, ka shprehur mendimin se Serbia nuk është e gatshme për një dialog serioz, teksa ka kritikuar edhe qeveritë serbe që në vazhdimësi vazhdojnë ta mashtrojnë popullin se Kosova është ende pjesë e Serbisë.
“Nuk jemi gati për dialog serioz, nuk kemi ekip ekspertësh, zakonisht negociatori nuk duhet të jetë politikan, supozoj se do të jetë Ivica Daçiq. Problemi këtu është frika se kujt do t’i bartet përgjegjësia. Të gjitha qeveritë që nga Koshtunica e deri këtu jetojnë në deluzionin e tyre ideologjik dhe e mashtrojnë popullin se Kosova është pjesë e Serbisë. Po, në hartë dhe ligjërisht, por në realitet vendi është një territor nën kontrollin e autoriteteve të Kosovës”, është shprehur Janjiq, bëjnë me dije mediat serbe.
“Shoqëria civile e veriut është e shpërndarë, të gjithë janë në Beograd. Atëherë çfarë rezistence është kjo? Kur disa të armatosur u shfaqën në barrikada, ata u interpretuan si paraushtarakë. Politikanët në vendin tonë merren me shpërndarjen funksioneve dhe plaçkës”, ka shtuar ai./FolDrejt/