Realizatori i dy golave në fitoren 3:0 të Prishtinës ndaj Drenicës në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës, Ahmed Jonuzi, ka thënë se sfida e zhvilluar në ‘Fadil Vokrri’ ka qenë shumë e rëndësishme për skuadrën e tij.
Lojtari ka komentuar ndeshjen dhe paraqitjen e Prishtinës teksa ka folur për faqen zyrtare të klubit.
“Ka qenë lojë shumë e rëndësishme si startuese dhe duke e respektuar Drenicën, patëm vështirësi, sepse ne s’kemi luajtur në fushë natyrale që kohë të gjatë, njëjtë ndoshta për dy palët, duke stërvitur gjithmonë në sintetikë dhe duke na bërë ngarkesë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Jonuzi, përcjell lajmi.net.
“Por, e ç’bllokuam ndeshjen që në pjesën e parë duke e marr iniciativën. Në pjesën e dytë na ra pak ritmi, por megjithatë shkojë mirë dhe jemi të kënaqur me këtë fitore prej tre golave në epërsi”.
“Tani na pret kampionati, ndeshja me Ferizajn dhe gjithçka ndryshon nga ndeshjet e Kupës. Duhet përqendrim maksimal që mos të lëmë pikë dhe të kemi vazhdimësi vetëm për fitore duke mos dashur të nënçmojmë asnjë skuadër tjetër”./Lajmi.net/