Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit edhe kryetar i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, ka premtuar se do të jap dorëheqje nëse veç dëshmohet se në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni është përdorur gjuhë kërcënuese ndaj SBAShK-ut.
“Në Kosovë mendoj që më shumë sesa paraja, inflacion të tmerrshëm ka pësuar fjala. Unë e kuptoj që nganjëherë duhet me vlerësua paushall, por nuk mundem me kuptu me u jep konstatimi që kryetari i komisionit e ka degradua debatin dje e sindikata ka qenë e kërcënuar e mos me qenë në gjendje as një argument të vetëm me ofru sesi është degradua debati”, ka thënë Gola, duke shtuar se kjo lloj situate është terrorizuese.
Ai ka ftuar publikisht deputeten e LDK-së, Vlora Dumoshi që të siguroj një dëshmi se ai ka degraduar debatin.
“Ajo që ka eskalu me Dimalin është çështje tjetër, po e sfidoj publikisht Vlora Dumoshin dhe çdo kush që mundet me gjetë në diskutimin e djeshëm një sekuencë 1 sekondëshe ku është përdorur gjuhë që sindikata është ndjerë e kërcënuar, po ju premtoj që kam me jep dorëheqje”, ka thënë Gola.
Pas kësaj ka reaguar deputetja Vlora Dumoshi, e cila gjatë fjalës së saj iu drejtua dikujt nga deputetët e LV-së me “mbylle gojën”./FolDrejt/