Spektatorët e huaj nuk do të lejohen të hyjnë në Japoni për Lojërat Olimpike të kësaj vere si pasojë e koronavirusit, thanë organizatorët të shtunën.
Rreth 600,000 bileta olimpike të blera nga persona me shtetësi të huaj do të rimbursohen, po ashtu edhe 300,000 bileta të tjera të Lojërave Paraolimpike, tha në një konferencë për shtyp Toshiro Muto, shefi ekzekutiv i komitetit organizues Tokyo 2020.
Vendimi për spektatorët e huaj do të “garantojë Lojëra të sigurta për të gjithë pjesëmarrësit dhe publikun japonez”, thanë organizatorët e lojërave Tokyo 2020 në një deklaratë pas bisedimeve pesë-palëshe që përfshinin kreun e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach dhe guvernatorin e Tokios.
Organizatorët do të shikojnë gjithashtu mundësinë për zvogëlimin e numrit të anëtarëve të stafit që do të marrin pjesë në Lojëra.
Lojërat janë planifikuar për periudhën 23 korrik deri më 8 gusht, dhe paraolimpiadat nga 24 gusht deri më 5 shtator.