Presidenti i Koresë së Jugut dhe kryeministri japonez u takuan pas tre viteve në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York
Udhëheqësit e Koresë së Jugut dhe Japonisë u takuan mbrëmë në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York, që shënon takimin e parë të tillë pas tre viteve, ku ranë dakord që të ecin përpara dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol dhe kryeministri japonez, Fumio Kishida, ranë dakord për nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve midis dy vendeve duke zgjidhur çështjet e pazgjidhura.
Duke cituar burime nga zyra e presidentit të Koresë së Jugut, agjencia e lajmeve Yonhap raportoi se takimi ishte “joformal” që zgjati 30 minuta. Takimi u vlerësua nga të dyja palët si hapi i parë drejt tejkalimit të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Kjo është hera e parë që nga dhjetori 2019 kur liderët e dy vendeve janë takuar ndërsa marrëdhëniet e tyre dypalëshe janë në nivelin më të ulët historik për shkak të çështjeve të pazgjidhura të luftës gjatë sundimit kolonial të Japonisë mbi Gadishullin Korean.
Takimit mes Yoon dhe Kishida i parapriu një takim i ministrave të jashtëm të Koresë së Jugut dhe Japonisë, i cili u zhvillua të hënën.
“Të dy liderët ranë dakord për nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe, zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe ranë dakord të udhëzojnë ministrat përkatës të përshpejtojnë bisedimet e ndërsjella në këtë drejtim, duke vazhduar gjithashtu bisedimet në nivelin më të lartë”, tha Lee Jae-myoung, zëvendës zëdhënës i presidentit të Koresë së Jugut.
Japonia dhe Koreja e Jugut ndajnë shqetësime serioze në lidhje me programin bërthamor të Koresë së Veriut, duke përfshirë legalizimin e fundit të armëve bërthamore dhe mundësinë e testimit të shtatë bërthamor, ndërsa liderët ranë dakord gjatë takimit në New York se do të bashkëpunojnë ngushtë me komunitetin ndërkombëtar lidhur me këtë./FolDrejt/