Japonia sot shprehu “shqetësim të madh” ndaj Rusisë dhe Kinës për atë që Tokio e përshkroi si “shfaqje force” pasi të dy vendet kryen një patrullë të përbashkët ajrore në rajonin Azi-Paqësor.
“Nuk mund të anashkalojmë veprimet që rrisin tensionet në Azinë Lindore kur Rusia tashmë ka rritur tensionet në Ukrainë”, tha Hirokazu Matsuno, zëdhënësi i qeverisë japoneze, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Tokio ia ka përcjellë “shqetësimin e saj të madh” Pekinit dhe Moskës, raportoi “Kyodo News”.
Të paktën gjashtë avionë ushtarakë të Rusisë dhe Kinës kryen një mision të përbashkët patrullimi ajror në rajonin Azi-Paqësor.
Forcat ruse të hapësirës ajrore dhe forcat ajrore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze zhvilluan një fluturim 13 orësh si pjesë e një skuadrile ajrore mbi Detin e Japonisë dhe Detin e Kinës Lindore, njoftoi të martën Ministria ruse e Mbrojtjes.
“Ushtarët e Kinës dhe Rusisë organizuan patrullën e përbashkët strategjike ajrore në përputhje me planin e tyre vjetor të bashkëpunimit ushtarak”, tha homologu i tyre kinez në një deklaratë të veçantë.
Patrulla ajrore u zhvillua gjatë takimi te liderëve të Japonisë, SHBA-së, Australisë dhe Indisë në Tokio në kuadër të aleancës së tyre Quad.
Matsuno e quajti patrullimin një “shfaqje force”, duke shtuar se fakti që ajo “u krye gjatë samitit rrit nivelin e provokimit”.
“Qeveria kërkon fuqimisht që Kina të luajë një rol të përgjegjshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në komunitetin ndërkombëtar”, tha zëdhënësi i qeverisë japoneze.
Ndërkohë, ligjvënësi japonez Masahisa Sato, shefi i komisionit të punëve të jashtme të Partisë Liberale Demokratike në pushtet tha se: “Kina e ka demonstruar veten si një komb i papërgjegjshëm”.
“Ne duhet të tregojmë një qëndrim të rreptë të bazuar në ligjin ndërkombëtar kundër një shfaqjeje kaq të gabuar të forcës”, tha Sato, duke sugjeruar se Japonia “duhet të konsiderojë lundrimin e anijeve të forcave mbrojtëse në ngushticën e Tajvanit”./FolDrejt/