Japonia do të hapë dyert për turistët e vaksinuar, pas më shumë se dy vjetëve me kufij të mbyllur, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Edhe kufizimi në numrin e turistëve që mund të hyjnë brenda shtetit në baza ditore, është hequr po ashtu.
Fluksi i udhëtarëve po mirëpritet nga Qeveria dhe bizneset lokale, pasi valuta japoneze yen ka rënë në shkallën më të ulët në krahasim me dollarin amerikan.
“Japonia do të relaksojë masat e kontrollit kufitar për të qenë në linjë me Shtetet e Bashkuara”, ka thënë kryeministri, Fumio Kishida.
Ky shtet ka lejuar hyrjen e udhëtarëve të huaj prej muajit qershor, mirëpo vetëm nëse kanë qenë të organizuar.
Japonia nuk e ka bërë kurrë të detyrueshme vendosjen e maskës dhe as masat tjera të izolimit, mirëpo shumica e banorëve i kanë zbatuar shpejt ato.
Më 2019, para se të shpërthente pandemia, Japonia ka regjistruar gati 32 milionë udhëtarë të huaj, që kanë hyrë brenda shtetit.
Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili./REL