Japonia filloi shkarkimin e ujit të trajtuar radioaktiv nga centrali bërthamor i shkatërruar Fukushima Daiichi në det të enjten, mes shqetësimeve të vazhdueshme midis peshkatarëve vendas dhe disa vendeve fqinje për ndikimin mjedisor, shkruan Kyodo.
Shkarkimi i ujit filloi rreth orës 13:00 (koha lokale e Japonisë), me proces që pritet të zgjasë rreth 30 vjet ose më shumë.
Uji është përdorur për të ftohur lëndën djegëse bërthamore të shkrirë dhe është trajtuar përmes një sistemi të avancuar të përpunimit të lëngshëm i aftë për të hequr shumicën e radionuklideve, përveç tritiumit.
“Qeveria do të marrë përgjegjësinë e plotë, edhe nëse duhen dekada,” u zotua kryeministri Fumio Kishida në fillim të javës.
Fillimi i shkarkimit të ujit shkaktoi një përgjigje të menjëhershme nga vendet dhe rajonet që janë të shqetësuara për sigurinë.
Kina tha se do të pezullojë importet e të gjitha produkteve të detit nga Japonia, duke e quajtur lëshimin e ujit “një akt jashtëzakonisht egoist dhe të papërgjegjshëm”.
Hong Kongu filloi të vendosë kufizime në importet e ushqimeve të detit nga 10 prefektura japoneze, duke përfshirë Fukushima dhe Tokio.
Shkarkimi erdhi pasi rezervuarët e instaluar në kompleksin Fukushima, që aktualisht përmbajnë rreth 1.34 milion ton ujë të trajtuar, pritej të arrinin kufirin e kapacitetit të tyre që në vitin 2024, përveç nëse operatori i termocentralit, Tokyo Electric Power Company Holdings Inc., nisi lëshimin e ujë.
Shinsuke Yamanaka, kryetar i Autoritetit të Rregullimit Bërthamor të Japonisë, tha në një konferencë shtypi të mërkurën se shkarkimi është një “hap i rëndësishëm përpara” drejt çaktivizimit të termocentralit Fukushima Daiichi.